Olimpiada Informatike e Kosovës
Instituti i Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës (STEM), me përkrahje nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) organizon Olimpiadën Informatike të Kosovës - OIK 2026.
Olimpiada Informatike e Kosovës ka për qëllim identifikimin, përzgjedhjen dhe mbështetjen e talenteve më të mira në fushën e informatikës, si dhe përgatitjen e tyre për pjesëmarrje në olimpiada të nivelit rajonal dhe ndërkombëtar. Përmes këtij aktiviteti nacional, nxënësit fitojnë mundësi për zhvillim akademik, trajnim të avancuar në probleme të nivelit të garave ndërkombëtare të informatikës, si dhe përfaqësimin e shtetit të Kosovës në gara ndërkombëtare të informatikës.
Nga Olimpiada Informatike e Kosovës përzgjedhet ekipi me 4 vajza që do të përfaqësojë shtetin e Kosovës në Olimpiadën e 6-të Evropiane të Informatikës për Vajza - EGOI 2026, e cila do të mbahet në Cesenatico, Itali, prej datës 12.05.2026 deri më datën 18.05.2026.
Në Olimpiadën Informatike të Kosovës (OIK) 2026 mund të marrin pjesë nxënësit e klasave 9–12 nga shkollat publike dhe private të Republikës së Kosovës, nxënësit e të cilëve shfaqin interes dhe aftësi të veçanta në informatikë dhe programim. Olimpiada zhvillohet në përputhje me standardet ndërkombëtare të garave të informatikës për nxënës të arsimit parauniversitar, duke ofruar një platformë serioze dhe konkurruese për zhvillimin e talenteve të reja në këtë fushë.
Problemet në Olimpiadën Informatike të Kosovës do të jenë të standardit ndërkombëtar, duke zbatuar plotësisht syllabusin zyrtar të International Olympiad in Informatics (IOI).
https://ioinformatics.org/files/ioi-syllabus-2025.pdf
Si referencë bazë për ushtrime rekomandojmë librin Competitive Programmer’s Handbook nga Antti Laaksonen.
Linku për shkarkim gjendet më poshtë.
https://cses.fi/book/book.pdf
Afati i fundit për aplikimi: 25 shkurt 2026.
Në vijim mund t’i shikoni ose shkarkoni të dhënat për vendin dhe orarin e mbajtjes së fazën e parë të Olimpiadës Informatike të Kosovës , e cila mbahet të shtunën, më 7 mars 2026 në lokalet e Institutit STEM, Rr. Nekibe Kelmendi 26, Veternik, Prishtinë.
Sponzorët
Olimpiada Informatike e Kosovës mbështetet financiarisht nga gjiganti amerikan Jane Street (https://www.janestreet.com/) dhe dy kompani vendore: Santefarm (https://santefarm.com) dhe Dijari (https://www.dijari.co), të cilët, përmes përkrahjes së tyre, kontribuojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e talenteve të reja në fushën e informatikës dhe në promovimin e tekonologjisë dhe inovacionit në Kosovë.






